Interi e ka mposhtur 3:2 Napolin në një ndeshje dramatike të dielën, duke ia shkaktuar liderit të Serie A disfatën e parë këtë sezon dhe njëkohësisht duke iu afruar në vetëm katër pikë.

Hakan Calhanoglu, Ivan Perisic dhe Lautaro Martinez shënuan nga një herë secili për një fitore tejet të vuajtur të zikaltërve në Giuseppe Meazza, pasi Piotr Zielinski dhe Dries Mertens kishin shënuar për vizitorët.

Interi ishte i vetëdijshëm se ky takim ishte mundësia e tij më e mirë për t’iu afruar kreut, duke e parë edhe humbjen e Milanit kundër Fiorentinës një ditë më herët.

Skuadra e Simeones vuajti shumë por ia doli ta mundë për herë të parë këtë sezon ekipin lider të Luciano Spallettit.

Përkundër disfatës, Napoli vijon të jetë lider me 32 pikë, aq sa ka edhe Milani.

Interi mbetet i treti, por tani me 28 pikë, pra vetëm katër larg kreut.

Pavarësisht fillimit pozitiv të Interit, Napoli kaloi në epërsi herët kur Zielinski e mposhti portierin Samir Handanovic me një goditje të bukur nga rreth 20 metra largësi në minutën e 17-të.

Kjo ishte goditje e vetme e vizitorëve në portën e sllovenit në 45 minutat e parë.

Por Calhanoglu e ktheu Interin në lojë kur shënoi nga penalltia në minutën e 25-të, pasi Kalidou Koilibaly e kishte ndalur me dorë në zonë goditjen e Nicolo Barellas.

Perisic i kaloi zikaltrit në epërsi për herë të parë në ndeshjen një minutën para pushimit mes pjesëve, kur shënoi me kokë nga afërsia pas një harkimi të Calhanoglut nga këndi.

Lautaro e dyfishoi epërsinë e vendasve duke e mposhtur portierin Davide Ospina me një goditje të ulët në qoshen e tij të djathtë, pasi u shërbye nga Joachim Correa në minutën e 61-të.

Skuadra e Inzaghit bëri lojë të përkryer 75 minuta, kur italiani i bëri katër zëvendësime.

Por një gol i papritur i Mertens nga largësia në minutën e 78-të, kur belgu e mposhti Handanovicin me një goditje të jashtëzakonshme nga rreth 35 metra largësi, e ktheu në lojë skuadrën e Spallettit.

Napoli e shtriu dominimin e plotë në minutat e mbetur, plus kohën shtesë prej tetë minutave dhe me pak fat ka mundur ta shmangte humbjen.

Por goditjen e Mario Rui nga afërsia e priti mrekullisht Handanovic, para se Mertens të gjuante lart mbi portë nga rreth pesë metra në kohën shtesë.