Aksidenti i trafikut që ndodhi sot në orët e para të mëngjesit në Bullgari, bëri ditën e sotme vërtetë një ditë të trishtë. Kështu është shprehur zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi në emisionin Rubikon në Klan Kosova përball gazetarit Adriatik Kelmendi ku ka komentuar tragjedinë e sotme që ndodhi në Bullgari, ku humbën jetën dhjetëra qytetarë të Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi përmes televizionit Klan Kosova ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për 45 familjet e viktimave nga aksidenti i trafikut që ndodhi në Bullgari.

“Vërtetë ditë e trishtë sot. Në ora 3 të mëngjesit ka ndodhur aksidenti, ka pasur katër autobusë të cilët janë kthyer nga Stambolli për në Shkup, pjesë e vizitave turistike atje, për arsye se siç e dini dita e 22 Nëntorit Dita e Alfabetit është ditë jopune për komunitetin shqiptar këtu në RMV dhe kishin qytetarët një vikend të gjatë e kanë shfrytëzuar shumica e qytetarëve për të bërë vizita nëpër qendra të ndryshme, ndodh aksidenti në njërin nga autobusët që la të vdekur 46 viktima për fat të keq ndërsa 7 të tjerë shpëtuan, 12 prej tyre janë fëmijë, shumica janë familjarë njëri me tjetrin përfshirë dhe njerëz që i njohim, shumica vijnë nga komuna e Çairit në Shkup, Studeniçani, Tetova, Presheva, nga Likova dhe nga vendbanime tjera”, ka deklaruar Grubi.