Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi mbrëmë në Click Plus tha se Bilall Kasami bashkë me të tjerët nga Lëvizja Besa duhet të largohen nga Qeveria. Ai theksoi se BDI dhe PDSH kanë lidhur një marrëveshje, e cila ka disa anekse e ndër tjerash është edhe largimi i Kasamit nga Qeveria, për shkak se, siç thotë Thaçi ai ka shkelur parimin e mbështetjes mes partive qeveritare në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale.

“Qëndrimi im dhe i BDI-së është se sjellja e këtillë e Bilallit në raundin e dytë duhet të ndëshkohet me largimin e Bilallit prej Qeverie.
F.A: Numrat si do i bëni? Me Alternativën. Bilalli duhet të largohet prej Qeverisjes për shkak të kësaj sjellje jo korrekte.”

Deklaratës së tillë të Thaçit, refuzoi t’i përgjigjej vet kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami edhe pse disa herë ju parashtrua pyetja nga TV21.

“Nuk mendoj se ka nevojë për koment. Më falni. Nuk ja vlen”.

Thaçi edhe njëherë deklaroi se Besa do të dalë nga qeveria për t’u zëvendësuar me partinë opozitare, Alternativa. Madje theksoi se për këtë ka edhe marrëveshje.

“Alternativa definitivisht e ka bërë marrëveshjen për të qenë pjesë e Qeverisë dhe garantues i kësaj marrëveshje është z.Ahmeti, se ata nuk i besojnë shumë z.Zaevit. Nuk është Zeqirijai apo të tjerët që flasin në emër të Alternativës, po abija i bën marrëveshjet.”

Edhe Alternativa refuzoi të përgjigjet për pohimet e Thaçit.

“Mbrëmë ishte një humor i mirë, qeshëm të gjithë. Nuk ka nevojë të qeshim edhe njëherë.”

TV21 pyeti edhe njëherë, nëse Alternativa do të hyjë ose jo në Qeveri, e përsëri nuk morëm përgjigje as po e as jo.

“Po ju lutem s’po flasim për humor, flasim për politika.”

Thaçi për fund shtoi se si pasojë e këtyre lëvizjeve në skenën politike, që nga 1 nëntori Lëvizja Besa do të shkrihet në LSDM, në të njëjtën datë Alternativa të shkrihet në BDI dhe Aleanca për Shqiptarët të rikthehet përsëri tek PDSH./TV21