Një ditë pas përplasjes së dhunshme pranë shkollës “Andon Zako Çajupi” në Tiranë, policia e Tiranës ka vënë në pranga 1 person, ka proceduar penalisht 5 të tjerë dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

Sherri mes mësueses së Letërsisë, Elida Qenami dhe asaj të Historisë, Domenika Toptani, ka nisur për vendin se ku do të uleshin në lokalin përballës shkollës pak para orës së mësimit. Menjëherë pasi është konfirmuar zyrtarisht përfshirja e tyre në konflikt, ato janë pezulluar nga detyra.

Dy mësueset janë konfliktuar verbalisht, por më pas kanë ndërhyrë dhe familjarët e tyre, të cilët kanë kapur karriget e lokalit duke qëlluar njëri-tjetrin. Ky motiv banal solli arrestimin e një personi, shpalljen në hetim të një personi tjetër dhe hetimin e 5 të tjerëve.

Përveç dy mësueseve, në konflikt janë përfshirë personat: E.F., E.K., E.K., N.Q., L.D., A.T., E.Q., Mësohet se E.F., E.K., N.Q., dhe L.D., kanë qenë pjesë e një grupi. Në ajër ka qëlluar E.F., i cili është arrestuar nga policia, ndërsa të tjerët janë proceduar në gjendje të lirë.

I vetmi person që është shpallur në kërkim, është A.T., i cili u largua nga vendi i ngjarjes pas konfliktit. Në spital ndodhet E.K., i cili u plagos gjatë konfliktit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia ka sekuestruar armën e përdorur nga E.F., një pistoletë TT dhe nga kontrolli i territorit në vendin e ngjarjes, pranë rrethimit të shkollës është gjetur një tjetër armë zjarri që dyshohet se i përket N.Q., punonjës i Policisë Ushtarake.