​Arrestohet 21 vjeçari për shpërndarje të narkotikëve


Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet E.G. (21), shtetas kosovar, nën dyshimet për shpërndarje të substancave narkotike.

Sipas njoftimit, bazuar në informatat inteligjente për dyshim në shitblerje të substancave narkotike, sot rreth orës 12:40, zyrtarë policor të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Vitomiricë/Radavc, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare “Perëndimi” Gjakovë, kanë realizuar një operacion policor në identifikimin dhe lokalizimin e personit të dyshuar.

“Si rezultat i veprimeve të zyrtarëve policorë është arritur që në rrugën “Wesley Clark”, në afërsi të Spitalit Regjional në Pejë, të ndalohet dhe identifikohet i dyshuari tek i cili janë gjetur dhe sekuestruar 31 qese të vogla me marihuanë, me sasi 34.8 gramë, 88 euro, një telefon Iphon X, një brisk prej 15 cm, me teh prej 6 cm ngjyrë e zezë dhe metalike, një pako cigare dhe një parfum”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet relevante dhe Prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë.

Ndërsa, është iniciuar rasti për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

I dyshuari, me urdhër të Prokurorit ndalohet për 48 orë, përderisa hetime të mëtejme janë në proces nga njësit i antidrogës në Pejë.