Trofeu i tretë në tre vitet e fundit. Kili u mund 1-0

Futbolli gjerman vazhdon sukseset e mëdha, me fitoren e Kupës së Konfederatave. Ky ishte trofeu i tretë i Gjermanisë në tre vitet e fundit.

Në fillim Botërori 2014 në Brazil.
Pastaj, pak ditë më parë, Kampionati Europian U21 në Poloni.
Prisni, se nuk I keni parë të gjitha.
Gjermania e fitoi edhe titullin e tretë në tre vjet, atë të Kupës së Konfederatave zhvilluar në Rusi.
Kombëtarja e të rriturve e trajnerit Joakim Lëv, kaloi Kilin në finalen e luajtur në Shën Petersburg, me lojtarë që nuk ishin plotësisht të rritur.
Përfaqësuesja “teutone” ishte diçka mes kombëtares së vërtetë dhe Shpresave, më mirë të themi një ekip U24, dhe për këtë e vuajti shumë përvojën më të madhe të Kilit, kundërshtarit të fundit përpara trofeut.
Djemtë e rinj si Ginter, Gorecka, Verner, Shtindl, Rydiger, Kimih, Rudi apo Zyle, ia dolën përballë ekspertëve si Klaudio Bravo, Arturo Vidal, Gari Medel, Arturo Vargas dhe Aleksis Sançez.
Finalja në stadiumin “Krestovski”, në prani të rreth 57 000 shikuesve, përfundoi 1-0, me golin e vetëm shënuar nga Shtindl për gjermanët në minutën e 21-të.
Kili luajti më mirë, por nuk pati qetësinë e duhur për ta fituar ndeshjen.
Dy herë radhazi kampionia e Amerikës së Jugut, tregoi se mund të matet me ekipet më të fortë të botës, por tradita fituese e Gjermanisë dhe portieri I Barcelonës, Ter Shtegen, bënë dallimin.
Kjo ishte kupa e parë e konfederatave fituar nga gjermanët, dhe një paralajmërim se kush do të jetë favorit në Kupën e Botës që do të zhvillohet vitin e ardhshëm po në Rusi.
Në përfundim, Ter Shtegen, u shpall lojtari më I mirë I ndeshjes, ndërsa trajneri Joakim Lëv, shprehu gjithë kënaqësinë e tij.
“Kjo fitore dhe kjo skuadër do të hyjnë në histori. Suksesi ka një vlerë të madhe sepse është hera e parë që Gjermania e fiton Kupën e Konfederatave. Mendoj se e merituam plotësisht këtë sukses, ndaj të gjithë jemi shumë të lumtur. Më besoni, se ishte më e vështirë sesa të fitoje Kupën e Botës”.