Elda Tanushi është e reja 19-vjeçare që ditën e djeshme tentoi të helmonte vjehrrën e saj duke i hedhur ilaç mizash në enën me kos. Vajza nga Dibra ka rreth 6 muaj që është martuar, ndërsa bashkëshorti i sja 20-vjeçar prej tre muajsh është larguar për të punuar në Greqi, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Elda ka qëndruar në banesën e prindërve të bashkëshortit të saj në qytetin e Durrësit, ndërsa ka treguar në polici në lidhje me shkaqet që e kanë shtyrë drejt një veprimi të tillë, i cili mund të rezultonte fatal për vjehrrën e saj. Ajo është shprehur se mamaja e bashkëshortit “i nxinte jetën”, e përdorte si shërbëtore skllave, nuk e linte të shkonte në punë, të dilte nga shtëpia apo të zinte shoqe.

Vetë Elda ka thënë se vjehrra e donte në këmbë gjithë ditën, nuk kënaqej asnjëherë nga punët që ajo bënte dhe madje, e ofendonte.

Jam nga Dibra dhe nuk i kam bërë ende 6 muaj që jam martuar. Unë jam 19 vjeçe dhe im shoq është 20 vjeç. Sa u martuam, burri më tha që do të ikte në Greqi. Iu luta shumë të qëndronte, duke i thënë se jemi çift i ri. Qëndroi dy muaj, por prindërit e tij i thoshin: Ik, ik në Greqi se jemi fukarenj. Ai iku e më la në shtëpi me vjehrrën, me vjehrrin dhe vëllain e tij. Vjehrra ma nxiu jetën. Më donte 24 orë në këmbë. Nuk i mjaftonte që punoja, por më ofendonte. Ajo nuk më do. Nuk më lë as të zë asnjë shoqe në fshat. Nuk bëhet fjalë për të dalë nga shtëpia. Vetëm në fushë, për të punuar tokën. Për çdo ditë sherr, për çdo punë që bëja. Unë e ndjej veten të huaj shumë në atë familje. Ma nxinë jetën”, – ka deklaruar Elda Tanushi.

Nusja e re ka thënë se priste të gjente ngrohtësi te familja e burrit, por ata e kanë trajtuar shumë keq.

E pranoj që në një çast shumë të rëndë, i hodha pak ilaç mizash vjehrrës në gotën e kosit. Kisha vendosur që të vdisja edhe vetë. Do të pija bar miu. Nuk kisha asnjë rrugëzgjidhje tjetër për të shpëtuar nga e gjitha kjo. Jeta ime nuk shtyhet më. Nuk e shtyj dot, sepse burri rri në Greqi, ndërsa unë me familjen e tij në fshat. Vjehrra më thoshte ‘ja, ne po të mbajmë, të ushqejmë dhe të veshim’. Në punë nuk bëhet fjalë të më çojnë. Më torturojnë sepse e dinë që familjen time e kam larg, në Dibër”, – ka pohuar para inspektorëve të policisë së Shijakut, 19-vjeçarja.